Description
Autori Jane Shemilt
Prologu
Qershor 2017
Zhurma e hapave u varros nën tingujt e tjerë: shiu që përkëdhelte gjethet, fëshfërima e degëve të pemëve që i shkundte era, uturima e një kamioni së largu në rrugën Blandford.
Por ndoshta më dukej mua, siç thoshte Natani. Po dëgjoja sërish gjëra që nuk ekzistonin.
Rrugica ishte e kredhur në gjysmerrësirë. Katedralja e ndriçuar, pas pemëve, bënte hije mbi zhavorr. Një grua ishte vrarë këtu, natën, 100 vjet më parë. Netëve të tilla, me re, ishte e rrezikshme të ecje këtu.
Ndonjëherë qëllonte që roja e oborrit të katedrales shëtiste pastorin e tij gjerman, apo ndihej jehona e të qeshurave të grave, teksa dilnin nga pabi dhe largoheshin për në shtëpi. Më bëhej sikur isha pjesë e tyre, ose, mbase, kështu ndihesha më e sigurt.
Sonte isha e pafat.
Nisa të nxitoja. Zhurma e hapave sa vinte e bëhej më e qartë, më e afërt. Më e vërtetë. Po më rrëqethej mishi, sikur një tufë milingonash po më kalonte nga jaka drejt flokëve. Doja të çoja dorën pas qafës, por kisha frikë se gishta te huaj do të preknin
të mitë.
Do të doja të isha kthyer. Duhej ta kisha bërë. Isha 49 vjeçe, mjeke,
bashkëshorte dhe nënë, isha mësuar të përballesha me telashe.
Kapërceva një pellg dhe, disa sekonda më pas, dëgjova pllaquritjen e lehte të një këmbe që futej në ujë.
Ia krisa vrapit.