Përshkrim
“Ava” është një roman shumë i veçantë, po aq sa edhe personazhi kryesor me të njëjtin emër rreth të cilit gjallojnë edhe të tjerët. Një libër befasues, që të mban mbërthyer në një rendje pa fund. Histori që ngërthehen me njëra-tjetrën, ngjarje të jashtëzakonshme, por edhe të njohura po ashtu. Brunilda Zllami nuk zhgënjen në aftësinë e saj për të fotografuar mjedise dhe histori shqiptare, duke i sjellë përmes letërsisë së saj aq të dashur për çdo lexues.”
Arlinda Dudaj, botuese
“Pakkush e mban mend atë ndjesinë e hutimit para pasqyrës kur vetja të josh në një mënyrë të paparashikuar. Një çast pasqyra është vetëm një objekt në cep të dhomës ku hedh një sy shkarazi para se të dalësh e çastin tjetër kthehet në diçka magjike, që tregon pamje që sytë e tu e kërkojnë me ngulm. Sikur pasqyrat të kishin gojë do të flisnin kaq shumë për njerëzit. Do të kishin më shumë fjalë se psikologët e më shumë gjeste se aktorët. Njeriu para pasqyrës mbetet i vërtetë, pikërisht se pasqyrat nuk kanë gojë për të folur. Ato pak minuta që syri kap shëmbëlltyrën e vet, në mënyrë të pafajshme e të pambrojtur përballet me realitetin, që më vonë e sublimon në skutat e mendjes duke paraqitur imazhin e përpunuar, atë që është më pak i vrazhdë, që lëndon më pak. Sikur pasqyrat të kishin fjalë, do të kishin me dhjetëra shprehje pakënaqësie, psherëtima e ofshama, por me raste do të kapnin edhe buzëqeshje, admirim, poza joshëse e biseda me veten.”
Libra të tjerë të Brunilda Zllamit nga shtëpia botuese “Dudaj”: “Një tjetër”; “Dashuri apo urrejtje”; “Dikur ishim bashkë”; “Lindur femër”; “Rruga e trëndafilave”; “Ëndrra e papërfunduar e një gruaje”; “Lakmia”; “Në shpirtin tim bën ftohtë”; “Ti je e nesërmja”; “E premte pasdite”; “Matilda”; “Labirintet e Medeas”; “Nuk jam engjëll”; “Fluturimi i fundit”; Pas mesnate.