NJERIU I RËRËS

L1,500

Përshkrim

Lars Kepler
Përktheu: Albana Nexhipi Lekaj

Trilleri bestseller ndërkombëtar numër 1 i autorit të romanit Hipnotizuesi rrëfen historinë rrëqethëse të një vrasësi serial manipulues dhe të dy agjentëve të shkëlqyer të policisë, të cilët duhet ta mposhtin në lojën e tij.

Është natë vonë, kur në rrethinat e Stokholmit gjendet një djalë që ecën përgjatë shinave të një ure hekurudhore, i mbuluar me gjak dhe në gjendje tronditjeje të rëndë: nën ethet e delirit, ai flet për një burrë misterioz, njeriun e rërës. Djaloshi quhet Mikel Frost, i zhdukur prej dymbëdhjetë vjetësh dhe i shpallur zyrtarisht i vdekur. Asokohe, pas kërkimeve të gjata, të gjithë zgjodhën të besonin se Mikeli ishte mbytur së bashku me të motrën, Felisjan, e zhdukur po atë ditë, por trupat e tyre nuk u gjetën kurrë. Të gjithë, përveç komisarit Jona Lina. Ai e ka ditur gjithmonë se motër e vëlla janë ndër viktimat e shumta të vrasësit serial më të pamëshirshëm të Suedisë, Jurek Valterit, që ai vetë e kapi vite më parë. Që atëherë, Jurek Valteri është mbajtur në izolim në një pavijon të sigurisë së lartë të një spitali psikiatrik. Nuk i lejohet të flasë me askënd dhe është vazhdimisht nën efektin e ilaçeve, por s’ka ilaç që e vë përposh. E keqja që jeton brenda tij ushqehet nga një furi e pakontrollueshme.
Me gjetjen e Mikelit, gjithçka ndryshon. Çështja nuk ka si të konsiderohet e mbyllur. Dhe mbase Felisja është ende gjallë… I vetmi që e di të vërtetën është Valteri, ndoshta edhe i vetmi që mund të jetë më i rrezikshëm pas hekurave, sesa i lirë. Dikush duhet të hyjë në pavijonin e tij e t’i fitojë besimin, duke shpresuar që ta bëjë të flasë. Dhe, mbi të gjitha, duke shpresuar t’i mbijetojë takimit me të…

“Adhuruesit e trillerit do ta kenë të vështirë t’i shpëtojnë magjisë së Njeriut të rërës, sepse suspansa nuk fashitet kurrë dhe kapitujt e shkurtër përfundojnë pothuajse gjithmonë me një kthesë të papritur. Por krejt ndryshe nga njeriu i lig, që i vë në gjumë viktimat, romani që mban emrin e tij do t’i mbajë lexuesit zgjuar gjithë natën.”

Shelf Awareness

“Njeriu i rërës është një triller i shkëlqyer… Asnjëri prej jush nuk i bën dot ballë dëshirës për të lexuar të gjitha historitë me protagonist komisarin Jona Lina, madje do të dëshironit ethshëm të kishte më shumë.”

New York Journal of Books

Lars Kepleri është pseudonimi i çiftit të mirënjohur të bashkëshortëve Alexandra Coelho Ahndoril dhe Alexander Ahndoril, që jetojnë në Stokholm, Suedi.
Seria e tyre me detektivin Jona Lina, bestseller numër 1 ndërkombëtar, ka shënuar më tepër se njëzet milionë kopje të shitura në dyzet gjuhë.
Përpara se të përshtasnin pseudonimin Lars Kepler, Ahndorilët ishin që të dy shkrimtarë të afirmuar, me disa romane të botuara, shumë të njohura për publikun suedez e më gjerë. Nga Lars Kepleri, DITURIA ka botuar fillimisht Hipnotizuesi (2011), një roman që tronditi tregun suedez të botimit dhe që shumë shpejt u përkthye në 37 gjuhë, duke kryesuar në listat e bestsellerëve në Francë, Holandë, Gjermani, Spanjë, Itali, Danimarkë, Amerikë etj. dhe Ekzekutuesi (2024).
Njeriu i rërës është romani i tretë në shqip, por lexuesi do të ketë në dorë së shpejti edhe disa nga romanet e tjera dhe më të vlerësuara të Keplerit: Gjuetari i heshtur, Dëshmitarja e zjarrit, Lazarus, Në mendjen e hipnotizuesit.

sqAlbanian